Gjeli i Xhafës që prodhonte raki për Nikolin Xhojën

13/04/2021 - 21:13

Nga Bujar QESJA

Po e kalojmë moshën e prindërve tanë, por kemi mbetur të palëkundur me kujtimet për ta. Mund ti kujtosh në çdo formë dhe të përjetosh të gjallët e tyre. Kujtimet çmohen në memorie, por edhe në sende që janë relike të çmuara që u takojnë atyre. Por tashmë janë pasuri e jona. Absolutisht që pasuria nuk çmohet vetëm në lekë, por mund të jetë edhe një gjë shumë e thjeshtë, por të hedh me shpejtësi në krahët e mos harresës.

Se ç’kërkoja as vetë nuk e di. Duke bubrruar në një kënd të një hapsire, në shtëpi, shikoj si të braktisur një “kokë gjeli”. Është gdhendur prej druri dhe e mora shpejt në duar. U ula diku dhe fillova ta kqyr këtë punim druri origjinal, skalitur me shpirt nga një autor anonim. E shikoja dhe fillova të qesh. Ndalem, hesht paksa dhe vritem nga plagët e kujtimeve.

Dhe i flas kokës së gjelit:

-Sa të kam kërkuar! Je një kujtim i largët o gjeli im i drurtë, shumë i largët! Hajde ta provojmë së bashku të këndojmë. Fillo: kikikirikuuuuuuu!

Po qesh me vete dhe me zë të lartë. Ka një histori ky gjel magjik, që tashmë e ruaj si gjë të shtrenjtë për të patur në mos harresë dy burra, dy miq, dy shokë, dy vëllezër. Ata janë: Nikolin Xhoja dhe Xhafer Qesja. Njëri tjetrin kishin si i thonë një fjale. Njihet shkalla e lartë artistike, e humorit të Nikolinit tonë. Por magjia e humorit të tij ishte origjinalitetit. Së bashku me të kishte lindur edhe humori. Mjeshtër i improvizimeve, humori i Nikolinit të nxirrte zemrën nga vendi dhe e qeshura merrte dhenë.

Teksa vjen një ditë në shtëpinë tonë, babai i nxjerr rakinë e shtëpisë dhe i bën një surprizë. Në vënd të tapës së shishes, kishte vendosur këtë kokë gjeli. Kur kthehej shishja për të mbushur gotën, hapej koka e gjelit dhe lëngu magjik dilte me pikatore, duke e bërë që në atë moment të të lezetohej rakia.

-E mor Xhaf çfarë paske bërë kështu! Çështë mor ky gjel?

Nikolini mori shishen e rakisë, e ngriti mbi fytyrën e tij dhe e ktheu duke përkëdhelur gjelin:

-Kikirikikikuuuuu. Oh si më knoka ky mor Xhaf, që na more në qaf! Këno mor gjel këno! Sa bukur po ma lezeton rakinë!

Humori çponte muret dhe e qeshura shkonte deri në kupë të qiellit. Minuta të paharruara. Minuta aq të ëmbla, aq të gëzuara, sa edhe sot e kësaj dite kur i kujtoj, më duket sikur ai gjel vazhdon të këndojë.

Nga ai çast edhe tani, kjo kokë e drunjtë quhet “gjeli i Nikolin Xhojës”. I kërkova të falur “gjelit të Nikolinit” që e kisha “braktisur” pa dashje dhe i dhashë fjalën që ky gjel aq sa do të më duhet do të këndoj për mua, djalin e Xhafës, shokut të ngushtë të Nikolin Xhojës.

Që të dy shokët u ndanë shpejt nga jeta. Nikolin Xhoja lindi në maj të 1926 dhe i mbylli sytë me 27 tetor 1987, ndërsa Xhafer Qesja lindi në prill të 1925 dhe e ndali frymëmarrjen me 5 nëntor 1993. Por vlera e jetës së tyre nuk matet me vite, por me atë ç’ka ishin, ç’ka dhanë dhe ç’ka mbeten.

Jeta ecën dhe kujtimet mbeten. “Gjeli i ëmbël i Nikol Xhojës”. Relike e çmuar dhe e paharruar. Ky “gjel i Nikolinit” vazhdon të këndojë. Një këngë e bukur. Një këngë që sjell mall dhe sentiment. Një këngë që mbetet në vazhdimësinë e brezave, si një gjurmë e prindërve tanë, që na lanë namin e mirë të emrit.

Dhe ky gjel do të vazhdojë të këndojë. Është gjeli i Xhafës, që prodhonte raki për Nikolin Xhojën.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori