Tre modele në mbështetje të kulturës dhe qytetarisë durrsake

24/05/2021 - 21:55

Në foto: nga e djathta Skënder Lila, Qazim Tepshi dhe Islam Alikaj

Nga BUJAR QESJA

Qytetaria durrsake është e mbushur me personazhe të ndryshme, të fushave të ndryshme, me besime dhe pikpamje të ndryshme. Por bashkohen në një pikë, kanë një emërues të përbashkët. Janë përpjekur që në raport me qytetarinë durrsake, të mbeten pjesë e patjetërsueshme e saj.

E kam thënë, e kam shkruajtur, por nuk do të ngurroj së rishkruari dhe së rithëni, se kemi shumë shëmbuj, kemi shumë protogonistë aktivë dhe të heshtuar, që së bashku ushqejnë atë që është ididentiteti ynë, që quhet thjeshtë qytetaria durrsake.

Janë përralla ato që thurin, apo tundin kartën e autoktonizmit. Natyrisht si në çdo gjë ka fillesa dhe histori që hedhin dritë mbi krijimin e identitetit të durrsakëve të hershëm. Por personalisht dhe jo vetëm, i përmbahem pikpamjes se autoktonizmi ushqehet dita ditës me përpjekjet e secilit, të ri dhe të vjetër, i ardhur dhe i gjendur, duke u krahasuar me përrenj të vegjël, që hedhin ujë në lumin e madh dhe të pashtershëm të qytetarisë durrsake.

Kam një foto që e vështroj dhe më vështron. Nuk kam ndërmënd të gërrmoj në bindjet politike të personave që janë aty, se nuk e kam këtë interes. As të përqendrohem në besimin e tyre personal. Por ndjehem komod, kur që të tre i njoh dhe jo vetëm dhe që kanë ndihmuar dhe ndihmojnë në mbajtjen gjallë, të asaj që quhet ekzistenca aktive e qytetarisë.

Skënder Lila. I datëlindjes 25 mars 1937. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë letërsi, duke patur njohuri pafund edhe nga historia. Një emër që është ushqyer nga një punë itensive kërkimore dhe shkencore, me një avancim të metodës së mësidhënies, me një kërkesë gjithnjë të pacënuar ndaj vetes. Kur dëgjoje shpjegimet e Skënder Lilës në letërsi, ëndërroje dhe futeshe në botën e temës sëpas rastit. Dhe kur mbaronte 45 minutëshi, magjia e këtij shpjegimi ishte në kufijtë e tundimit. I miri Skënder, punoi edhe për shumë vite në Muzeun e Luftës duke dhënë një ndihmesë të çmuar, në historikun e heronjve të luftës për çlirim. I palodhur dhe me një mirësi të varur në fytyrën e tij paqësore, me një buzëqeshje që zbulon fisnikërinë, ai edhe sot e kësaj dite shëtit i lumtur në qytetin e tij. 84 vite jetë deri tani. Durrsakët nuk duhet t’ia harrojnë ndihmesën.

Islam Alikaj. I lindur me 10 mars 1939. I ka kapërcyer 82 vitet dhe e shikojmë të vrapoj, madje edhe të sprintojë. Jo në kuptimin fizik, por në atë profesional. Matematika mbetet zemra dhe shpirti i tij dhe harron se sa vjeç është, krahasuar me sa vite jetë ka dhënë dhe po jep. Ai mbetet gjithnjë pranë artit të tij, matematikës. Islam Alikaj ka krijuar perandorinë e tij në këtë lëndë, duke nxitur të lindë perandorë më të vegjël, që me siguri ashtu si shahu do të komandojnë skakjerën gjigande të kësaj lënde.

Punon Islami ynë me fuqinë e rinisë. Nuk ndjen lodhje dhe shplodhjen e ndjen tek kënaqësia e punës. Kurse dhe konsultime pa fund në kategori të ndryshme moshash. Të vegjël, të mesëm, të rritur ai është i “tërbuar” pas matematikës. Botues librash, lidhje me homologë në shumë shtete të botës, ai mbetet nga më pasionantët dhe nga më të talentuarit e matemikës. Është fat madh për ne, që Islam Alikaj është pjesë e Durrësit dhe nuk dorëzohet. Madje as ka ndërmënd të dorëzohet. Studim, eksperimentim, mësim dhe përsëri në evidentim vlerash.

Qazim Tepshi. Viti i lindjes 1942. Por me 21 gusht 2015 i paharruari ynë Qazim Tepshi, ndali përundimisht frymëmarrjen, duke na bërë të frymëzohemi me punën dhe veprimtarinë e tij. Ky djalë i pashëm, pasi mbaroi studimet për gjuhë letërsi filloi të japë mësim në shkollën “Nako Spiru”. E folura e tij si e një aktori, me intonacion të zërit shumë tërheqës, deri në kufijtë e befasisë, krijoi etalonin e rrallë të mësimdhënies. Aftësitë dhe cilësitë e tij u përqëndruan në të tjera fusha. Lëvroi gazetarinë, duke qenë korespondent i Durrësit për gazetën “Bashkimi” dhe më pas permanent në këtë organ shtypi.

Aftësitë e rrallë të përvetësimit të gjuhëve të huaja, deri tek gjermanishtja e vështirë, i detyruan autoritetet e kohës ta bënin pjesë të diplomacisë shqiptare. Shërbeu si diplomat në ambasadat shqiptare në Egjipt, Itali dhe me pas ambasador në Republikën Çeke dhe Republikën e Greqisë. Deputet i parlamentit shqiptar në peruidhën 2001-2005. Na nderoi kudo që punoi Qazimi i ynë, që mbeti deri në fund të jetës Qazimi i Durrësit, pjesë e mburrjes tonë.

I shikoj që të tre në një foto. Kam marrë përsipër të mos e ndal hapin, pse jo edhe vrapin për t’ju përkushtuar përbërësve aktivë të qytetarisë durrsake. E ç’rëndësi ka që fisi i famshëm i Tepshëve janë me origjinë nga Kruja, ku në rastin e Qazimit e të shumë të tjerëve, janë lidhur ngushtësisht me qytetarinë dhe civilizimin e Durrësit tonë të përbashkët.

Jam tejet entuziast që Skënder Lilën dhe Islam Alikajn i kemi ndër ne potentë, të fortë, me shëndet të patronditur. Por jam i brengosur për largimin nga jeta, në moshën 73 vjeçare të Qazim Tepshit, pjesës të mrekullisë tonë kulturore dhe shoqërore.

Që të tre janë në një pamje. Kanë dalë në skajin më verior të Shqipërisë, në Vermosh. Në rrugën që të çon për atje, është edhe djersa e durrsakëve tanë, por edhe e këtyre tre mësuesve ta spikatur të arsimit dhe kulturës durrsake. Është pranvera e vitit 1967.

Një foto, një kujtim. Një foto, një mall. Një foto, shumë vlera.

Për durrsakët mbeteni mburrja e tyre. Dhe për këtë jam shumë i sigurtë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori